English

Ekspozita për Nënë Terezën në Washington DC.

Në kuadrin e aktiviteteve për 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, znj. Liri Berisha, Presidente e Fondacionit Kulturor “Nënë Tereza” zhvilloi një vizitë tre ditore në kryeqytetin amerikan Washington DC. Në mëngjesin e datës 28 Prill në kupolën e Kongresit Amerikan u ngrit flamuri në nderim të vizitës së znj. Liri Berisha dhe hapjes së ekspozitës kushtuar veprës humanitare të Nënë Terezës.

Në ceremoninë e zhvilluar për hapjen e kësaj ekspozite merrnin pjesë kongresmenë, zyrtarë të qeverisë amerikane, ambasadorë, përfaqësues të shoqërisë civile, miq të Shqipërisë dhe bashkëatdhetarë.
Në fjalën e hapjes znj. Liri Berisha theksoi se SHBA e ka nderuar Nënë Terezën me medaljet më të larta, ndaj edhe hapja e kësaj ekspozite bëhët pikërisht në Kongresin Amerikan, për të treguar respektin ndaj këtij vlerësimi.
Më pas znj. Berisha duke evokuar vlerat e rralla të humanistes shqiptare theksoi se të gjithë në veprimtarinë tonë të përditshme kemi diçka nga humanizmi i Nënë Terezës dhe kjo na bën të ndjehemi krenarë për origjinën e saj shqiptare.

Në emër të grupit pro-shqiptar në Kongresin Amerikan përshëndeti z. Eliot Engel, i cili e falenderoi znj. Berisha për hapjen e kësaj ekspozite, për sjelljen në Kongresin Amerikan të këtyre sendeve me kaq vlerë dhe mbi të gjitha për punën e saj në krye të fondacionit dhe misionin e marrë përsipër.

Ai i dhuroi ceremonialisht znj. Berisha flamurin e ngritur për nder të saj në Kongresin Amerikan dhe shprehu mbështetjen e tij dhe të kolegëve të kongresit të SHBA-së për veprimtaritë e ardhshme të Fondacionit Kulturor “Nënë Tereza”.
Në kuadër të hapjes së kësaj ekspozite, znj. Liri Berisha pati takime në Kongresin Amerikan me kongresmenet: Eliot Engel, Jackie Speier, Betsy Markey, Rosa Delauro, Diane Watson, Jim Moran, Robert Aderholt, Alcee Hastings, etj të cilët vlerësuan lart punën e Fondacionit Kulturor Nënë Tereza dhe të znj. Liri Berisha për nderimin dhe lartësimin e figurës së humanistes së madhe shqiptare.

pas

Dhuroni
Gazeta elektronike
Lajme