English

Shenjtërimi Nënë Terezës qoftë këmbanë për sa më shumë veprime dashurie e mirësie për të pamundurit e kësaj shoqërie dhe për sa më shumë mesazhe paqeje ndër shpirtra të trazuar.

8 Maj 2016

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani dhe Zonja e Parë Odeta Nishani, në bashkëpunim me Fondacionin Kulturor “Nënë Tereza” organizuan në datën 8 Maj 2016 me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Nënës, një veprimtari solemne në çelje të siparit të festimeve për nder të shenjtërimin të bamirëses shqiptare “Nënë Tereza”.

Presidentja e Fondacioni Kulturor “Nënë Tereza”, Dr Liri Berisha nënvizoi: “Një shqiptare, vajza me emrin Gonxhe, sot krenaria e mirësisë dhe dashurise njerëzore, gruaja që fitoi titullin Nëna e të gjithë njerëzimit është një bekim për ne shqiptarët, vlerë e çmuar e dalë nga ky vend i vogël, por që i dha emër të madh. Me përkushtimin dhe dashurinë e madhe për njerëzit e varfër e të pashpresë u kthye në një misionare që i tregoi botës me veprën e sajë se sa e rëndësishme është të shërosh dhimbjen, të mbyllësh plagë, të luftosh me urinë, të japësh nga vehtja për të ngritur shpirtin e braktisur pasi ajo vetë e kishte provuar braktisjen.

Shenjtërimi i Nënë Terezës më 4 shtator nga Papa Francesku pritet të jetë eventi kryesor i Vitit Jubilar të Mëshirës në Vatikan. Por mendoj se shenjtorja e gjallë është parë gjithmonë nga të gjithë ne si e tillë, sepse ajo ishte shenjtorja e të braktisurve, e të mjerëve dhe mjerimi kishte një armik të pa epur tek Nënë Tereza.

Ëngjëlli i mëshires gjëndej kudo, ku shiheshin fëmijë të sëmurë, njerëz të pa ushqyer, e të braktisur. Nobelistja e parë shqipëtare u bë personifikim i dashurisë pa kushte dhe i vullnetit të pa epur. Shqipëria dhe shqipëtarët krenohen me emrin e saj pasi virtytet që ajo përcolli janë vlera të tilla si dashuria pa kushte, dinjiteti njerëzor, liria barazia e solidariteti që shërbejnë si orientim shpirtëror për shoqërinë tonë.

Nënë Tereza, nëna e shërimit të shumë shpirtrave të përvuajtur ka arritur të prek çdo qënie njerëzore me humanizmin dhe devotshmërinë e saj duke sjell një ndryshim rrënjësor në jetën e të varfërve, të të sëmurëve e jetimeve. Veprimet e saj janë burim frymëzimi për të gjithë ata që duan të sjellin mirësi në këtë botë për një bashkëjetesë më të mëshirëshme mes të pasurve dhe të varfërve.

Kjo ekspozitë që hapet sot nga Presidenti i Republikës në kuadër të nisjes së festimeve për shenjtërimin e saj hedh pak dritë mbi dritën për të ndarë me ju dhe gjithë botën, këtë trashëgimi të çmuar, këtë thesar të vyer kombëtar e cila i mësoi të gjithë njerëzimit ta shohin botën ndryshe. Objektet e ekspozitës dëshmojnë pasurinë kulturore të djepit që e lindi dhe e rriti , origjinën e saj familjare të pasur me kulturë e humanizëm, me bujari e dashuri.

Unë uroj dhe shpresoj shumë që bota të mos ketë me pak dashuri dhe më pak dritë me ikjen e saj. Ky shenjtërim qoftë këmbanë për sa më shumë veprime dashurie e mirësie, për të pa mundurit e kësaj shoqërie dhe për sa më shumë mesazhe paqeje ndër shpirtra të trazuar.

Në fjalën e Tij përshëndetëse, Kreu i Shtetit shqiptar nënvizoi: “Unë mendoj se çdo shoqëri mund të frymëzohet nga Nënë Tereza e ndoshta pak më tepër çdo grua, nënë a bijë, e mbase disi më shumë, gratë shqiptare, sepse ajo ishte dhe mbetet njëra prej tyre. Pajisur me forcën e besimit si gurë e dashurisë për tjetrin, për të ndryshmin, për të braktisurin, për të dobëtin pa e përkufizuar atë nga raca, ngjyra, feja, kombi, por duke e parë thjesht si krijesë të Zotit, ajo rrëfeu fuqinë mrekullibërëse të dashurisë. Në vetë të parë ajo na tha si mund të mposhtet egoizmi, si mund të sfidohen rrethanat e disfavorshme, si mund të delegjitimohet degradimi i njeriut nga njeriu, si shpresa dhe përpjekja përballen me dorëzimin dhe nënshtrimin duke mbrojtur jetën. Me gjeste të pashlyeshme Nënë Tereza fjalën e Zotit e shndërroi në vepër duke pohuar madhështinë e vetë njeriut.

“Nënë Tereza është emblema e imazhit shqiptar po aq sa shpirti rinovues prej Shën Françesku i Kishës Katolike të përbotshme! Ne duhet t’i bindim të tjerët se ajo nuk është një rastësi, se shoqëria jonë e ka këtë fuqi, gruaja shqiptare po kaq. Evenimente të tilla si shenjtërimi i saj duhet të shndërrohen në një procesion të komunikimit me njëri-tjetrin dhe botën. Një rol në këtë drejtim padyshim mund ta luajë edhe Parlamenti dhe Qeveria shqiptare. Identifikimi si vendi dhe populli i Nënë Terezës nuk është një dëshirë folklorike, por një standard për ndërgjegjen tonë, një pasqyrë morale në të cilën duhet të këqyremi çdo ditë me kurajë teksa gruaja shqiptare përpiqet mes shumë vështirësish të gjejë çdo ditë Nënë Terezën brenda vetes.” – theksoi kreu i shtetit shqiptar.

Pas përshëndetjeve të Nuncit Apostolik në Tiranë, Imzot Ramiro Moliner Ingles, Presidenti Nishani vlerësoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Don Lush Gjergjin, biografin e Nënë Terezës me motivacionin: “Për veprimtarinë e tij jetësore në drejtim të nxitjes së tolerancës dhe vëllazërimit ndërfetar në trevat shqiptare; për punën e përkushtuar shumëvjeçare intelektuale për nxjerrjen në pah të historisë, trashëgimisë dhe identitetit të popullit shqiptar dhe figurës së ndritur të Nënë Terezës” si dhe Misionaret e Bamirësisë “Motrat e Nënë Terezës” me Dekoratën “Nënë Tereza”: “Në shenjë nderimi dhe mirënjohjeje të pakufishme, për humanizmin dhe bamirësinë e pakursyer ndaj njerëzve të pamundur. Për kontributin e vyer të motrave misionare, si mishërim i dashurisë dhe mëshirës pa dallim të Zotit për njerëzit në nevojë, nën shembullin e ndritur të Nënë Terezës”.

Në vijim të veprimtarisë solemne, të pranishmit ndoqën me ëndje interpretimin artistik të artistes Roza Anagnosti dhe aktorit e regjisorit nga Kosova, Enver Petrovski të disa shprehjeve të famshme dhe lutjeve të vyera të shenjtores së ardhshme dhe vizituan ekspozitën e hapur me këtë rast me objekte të bamirëses së madhe shqiptare Nënë Tereza në hollin me të njëjtin emër të Institucionit të Presidentit të Republikës.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, Nënkryetari Edmond Spaho, deputetë, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, Ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik, krerë të Kishës Katolike në vendin tonë dhe nga Kosova dhe të bashkësive të ndryshme fetare shqiptare, drejtues institucionesh të artit dhe kulturës, personalitete të artit dhe kulturës, etj.

pas

Dhuroni
Gazeta elektronike
Lajme