English

Promovimi i librit “The mother of charity” kushtuar Nënë Terezës.

The mother of charity

Viti 2010 shënoi 100 vjetorin e lindjes së Nënë Terezës dhe si i tillë u përcaktua si viti i Nënë Terezës, gjatë të cilit Fondacionin Kulturor “Nënë Tereza” ka organizuar shumë aktivitete brenda dhe jashtë vendit. Aktivitete të ndryshme janë zhvilluar dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si dhe me institucione të tjera qeveritare dhe ndërkombëtare.


Sot në selinë e Këshillit të Ministrave, nën kujdesin e Kryeministrit Sali Berisha dhe zonjës Liri Berisha, presidente e Fondacionit Kulturor “Nëne Tereza” u prezantua ekspozita dhe monografia e Nënë Terezës nga Don Lush Gjergjit “The Mother of Charity”, monografi kushtuar Nënë Terezës, figurës së madhe të humanistes me origjinë shqiptare, të Lumturuarës Nënë Tereza. “The mother of Charity” nuk është libri i vetëm i botuar nga Don Lush Gjergji. Ai ka botuar rreth 15 libra kushtuar jetës dhe veprës së Nënë Terezës. Në faqet e këtij libri voluminoz rrëfehet jeta e saj, bamirësia që ka çuditur botën. Kjo figurë unike e njerëzimit është përkujtuar me nderim dhe mirënjohje për virtytet që ajo i përcolli botës mbarë.


Në prani të drejtuesve të klerit shqiptar, të personaliteteve të shquara të artit shqiptar, studiues dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Shqipëri, u rrëfyen përmes kujtimesh dhe fotografish momente nga jeta e Nënë Terezës, veçanërisht nga vizitat e saj Shqipëri.


Prezantimi i librit filloi me disa fjalë të Nënë Terezës, të recituara me ndjenjë nga aktori Mirush Kabashi të cilat kanë shënuar dhe epilogun e një viti kushtuar humanistes së madhe shqiptare.


Në fjalën e mbajtur nga Kryeministri i Shqipërise, Z. Sali Berisha, ai u shpreh se ndihej veçanërisht i lumtur të mikpriste në ambientet e kryeministrisë ekspozitën dhe prezantimin e monografisë së Nënë Terezës.Në përshëndetjen drejtuar të ftuarve, Kryeministri u shpreh: “Së pari, dua të shpreh nderimin tim të madh për këtë punë të shkëlqyer që imzot Lush Gjergji paraqet para shqiptarëve dhe mbarë botës këtë monografi, e cila ka brenda dashurinë e pakufishme, adhurimin, përkushtimin e Dom Lush Gjergjit ndaj nënës, motrës, vajzës, gruas shqiptare që, me besimin e saj tek Zoti, tek Krishti, ia doli të pushtojë më shumë se kushdo tjetër në kohën e saj zemrat e njerëzve, ia doli me virtytet e veta të përfaqësojë njeriun, kombin, qytetërimin në mënyrën më fisnike, më dinjitoze, ia doli të operojë në hapësirat e dhimbjes më të madhe njerëzore, që në një farë mënyre kishin mbetur të braktisura nga të gjithë, përveç se asaj. 
Nënë Tereza i dha nder të madh njeriut së pari, i dha nder sigurisht familjes e kombit të vet, por mbi të gjitha nderoi sa askush tjetër, njeriun dhe vlerat e tij shpirtërore.
Kam pasur fatin e rastin ta takoj disa herë, ta pres edhe në shtëpi e natyrisht, sërish unë doja të mësoja nga buronte forca e saj, ku e kishte këtë forcë të jashtëzakonshme. Në të gjitha bisedat që kam pasur me të, forca e saj qëndronte tek besimi i saj i pakufishëm, tek Krishti, tek Zoti, e përqendruar në një mënyrë të atillë që vetëm misionarët shenjtorë mund të përqendrohen.”


Protagonistët kryesor i ceremonisë Dom Lush Gjergji, autor i monografisë “Nënë Tereza, nëna e dashurisë”, i njohur si një nga njerëzit më të përkushtuar dhe më të afërt të Nënë Terezës tha se ishte besimi që Nënë Tereza kishte tek Zoti dhe dashuria për njerëzit, ato që e shtynë atë shkruante këtë vepër. Don Lush Gjergji: e kujton atë duke thënë "Kam takuar në Romë Nënë Terezën në vitin1967 dhe që atëhere nuk kam mundur ti largohem më .Ajo ishte nëna e endërrave të mia dhe u bë nëna e të gjithë shqiptarëve dhe mbarë botës. U thoshte gjithnjë motrave që kur të shkoj në Shqipëri mos më pyesni asnjë herë se sa do rri……"
Ai përcolli me emocione një nga amanetet e fundit të Nënë Terezës.
“Më tha më jep duart e tua. I dhashë dorë e djathtë dhe më tha: ‘Ç’do bëj sot për Zotin” dhe më tha: “Ti e ke dhe një dorë tjetër dhe i ke dhe pesë gishta” dhe tha “Ç’do bëj sot për njeriun’. Nëse ka qenë mirë bashkoi duart dhe falëndero Zotin. Nëse diçka ke gabuar ke lëshuar apo ke pasur mundësi të bësh mire dhe s’e ke bërë, shko kërkoji ndjesë dhe  pusho do të kesh ditë të tjera”.
Lutja nga Nënë Tereza “Zoti e mbroftë Shqipërinë, Zoti e mbroftë besimin!” ishte dhe fjala mbyllëse e këtij aktiviteti.
Monografia “Nëna e bamirësisë” në gjuhën angleze është porositur në 5 milion kopje në të gjithë Europën,.

pas

Dhuroni
Gazeta elektronike
Lajme